Përveç sulmuesit Mauro Ikardi, është edhe Radja Naingolan që nuk bën pjesë në planet e skuadrës së Interit për sezonin e ri dhe që duhet të gjejë një tjetër skuadër për të vazhduar karrierën e tij.
Mesfushori belg po stërvitet nën urdhrat e Antonio Kontes dhe u ka bërë të qartë drejtuesve se do të donte të mbetej në Itali, por deri tani ofertat në drejtim të tij kanë munguar.
Megjithatë në orët e fundit është futur në garë Fiorentina, që është gati të kënaqë belgun dhe ta vërë në dispozicion të Montellës për sezonin e ri.
Klubi nga “Artemio Franki” ka nisur kontaktet e para me drejtuesit e Interit, ndërsa pritet të merret paraprakisht edhe miratimi i vetë Naingolan për një transferim të mundshëm në Firencë.
Negociatat janë në frazën fillestare, por pasi mbajti në skuadër Federiko Kiezën, Roko Komiso kërkon t’i sjellë Montellës një mesfushor me peshë, që të synojë një vend në zonat europiane nga sezoni i ardhshëm.