Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, nesër në kuadër të raundit të dytë eliminatorë të Liga Europa do ta zhvillojë ndeshjen kthyese ndaj kampionit sllovak, Slovan Bratislava, njofton “infOSport.mk”.
Në taborin e skuadrës nga Drenasi vërehet një optimizëm i madh për një fitore në ndeshjen e nesërme që do ta zhvillojë në Prishtinë.
Trajneri Zekirija Ramadani tha se skuadra është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe duke parë edhe rezultatin e ndeshjes së parë, Nikli ka shancet e veta për një kualifikim të mundshëm në raundin tjetër.
“Do të futemi njëjtë si në ndeshjen e parë. Do të sulmojmë me mendje dhe do të mbrohemi me mendje. E kemi përballë një super skuadër e cila provon më shumë në kundërsulme. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha në formacion besoj qe do të ketë një apo dy ndryshime jo më shumë. Për ta mposhtur këtë skuadër duhet të vrapojmë më shumë se me ata, duhet të luftojmë më shumë se ata. Taktisht do të jemi njëjtë si në ndeshjen e parë. Ne motivohemi vetëm në aspektin sportiv. Ato fyerjet që ndodhën në Sllovaki besoj që futbollistët e mi as nuk i kanë dëgjuar, pasi që janë maksimalisht të fokusuar në ndeshje. Duhet ti tregojmë Evropës se ne shqiptarët jemi shumë moti në Evropë dhe kemi traditë të madhe andaj ftoj tifozët që të vinë në numër sa më të madh dhe të i duartorokasim në fund të dy skuadrat” – tha Zekirja Ramadani.
Rikujtojmë në ndeshjen e parë të zhvilluar në Bratislavë, Feronikeli kishte pësuar me rezultatin 2:1.