Ish futbollisti i Feronikelit eliminoi gjigandët e Hajduk Split (VIDEO)

Ish-futbollisti i Feronikelit Ben Hamed Kone, i cili ishte i padëshiruar te skuadra nga Drenasi mbrëmjen e së enjtes doli të jetë figura kryesore në ndeshjet e raundit të parë eliminatorë të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.

Sulmuesi 31-vjeçar nga Abixhan, i cili në fillim të këtij muaji iu bashkua skuadrës së Gzira Junajted nga Malta, me dy golat e tij arriti që të eliminojë gjigandët kroat të Hajduk Split, që pësoi në “Poljud” një disfatë befasuese me rezultatin 1:3.

Ndeshja e parë e zhvilluar në Maltë ishte mbyllur me fitoren 2:0 të Hajduk Split, mirëpo të enjten në mbrëmje falë Hamed Kone, Gzira Junajted, arriti atë rezultat të favorshëm, që ju siguroi atyre kalimin në raundin e dytë.

Kone golin e tij të parë e realizoi në minutat 69-të, kur shënoi në stilin gërshërë, ndërsa golin e dytë personal dhe të tretin që i dha  goditjen e rëndë Hajdukut e realizoi në minutën e fundit të takimit, kur me mjaft mjeshtëri me të majtën e tij shënoi në rrjetën e Duka, transmeton “infOSport.mk”.

Te Hajduku që nga minuta e parë në lojë u inkuadrua Françesko Tahiraj, ndërkohë reprezentuesi i Shqipërisë, Ardijan Ismajli, mbeti në bankinë.

Leave a Reply