Sulmuesi francez, Antuan Grizman gjatë ditës së djeshme edhe zyrtarisht u transferua nga Atletiko Madridi te Barcelona për shumën e 120 milionë eurove, duke u bërë transferimi i pestë më i madh i të gjitha kohërave.
“Top 10” transferimet më të mëdha në botë tashmë janë modifikuar këtë verë, pasi blerje si Eden Hazard dhe Zhoao Feliks kanë zënë vendet e tyre.
Përveç tyre, tani edhe Grizman është i fundit që hyn në këtë listë, duke u bërë futbollisti i 5-të më i shtrenjtë në historinë e futbollit.
Para tij ndodhet dyshja sulmuese e Paris Sen Zhermenit, Kylian Mbape dhe Nejmar, që kanë kushtuar 280 milionë, respektivisht 222 milionë euro, i treti në këtë listë është blerja më e re e Atletiko Madridit, Zhoao Feliks, për shërbimet e të cilit “jorganxhinjët” paguajtën 127.1 milion euro, ndërkohë pason braziliani Filipe Kutinjo me një shifër prej 120 milionë euro, plus 40 milion tjera bonuse.
Pas Grizman, pason Kristiano Ronaldo, i cili verën e kaluar u transferua te Juventusi nga Reali i Madridit për shumën e 112 milion eurove, për të vijuar kjo listë me dy futbollistë tjerë francez, Usmane Dembele (105 milion euro, plus 40 milion bonuse) dhe Poll Pogba (105 milion euro, plus 5 milion bonuse), ndërkohë në TOP 10 bëjnë pjesë sërish Nejmar dhe Garet Bejll.