Anëtari i përfaqësueses së Kosovës, Fidan Aliti, i cili aktualisht luan në Suedi me skuadrën e Kalmar, karrierën e tij shumë lehtë mund të ndodh që ta vazhdojë në Turqi te skuadra e Goztepe.
Aliti te Kalmari u transferua gjatë merkatos dimërore, ndërsa me këtë skuadër regjistroi 12 ndeshje. Ai me Kalmar ka kontratë deri në fund të vitit 2022, mirëpo oferta joshëse e drejtuesve të skuadrës turke mund ti ndryshojnë mendje atij për të pranuar që të luaj në Superligën turke.
Madje drejtuesit e skuadrës së Goztepe thuhet se janë të gatshëm të paguajnë klauzolën e lirimit të lojtarit, edhe pse për momentin bisedimet nuk kanë avancuar.
Nëse gjithçka kryhet me sukses, Aliti do t’i bashkohej edhe bashkëlojtarëve të tjerë të përfaqësueses së Kosovës, si portierit Ujkani, Donis Avdijdajt i cili ditë më parë u transferua te Trabzonspori, si dhe sulmuesit Vedat Muriqi, i cili nga Rizespor gjatë kësaj merkatoje u transferua te gjigandët e Fenerbahçes.
25-vjeçari Aliti para se të transferohej te Kalmari, luante me Skënderbeun, ndërsa gjithashtu gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me skuadrat e Sherif Tiraspolit, Sllaven Belupos dhe Lucernës, ndërsa hapat e parë i kishte bërë te Bazeli.