Shkëndija të shtunën ka bërë transferimin më të bujshmë të kësaj merkatoje, duke transferuar brazilianin, Huan Felipe, një nga futbollistët e huaj më të mirë që ndonjëherë ka luajtur në futbollin vendor, njofton “infOSport.mk”.
Felipe te Shkëndija transferohet nga rivali i përjetshëm, Vardari, që në këtë mënyrë ka marrë një goditje të rëndë, e mbi të gjitha tifozët e kësaj skuadre, të cilët mllefin e tyre po e shprehin nëpër rrjetet sociale.
Atyre nuk u ka pëlqyer aspak një vendim i këtillë i brazilianit, që vite më parë ishte një ndër futbollistët më të dashur në mesin e tyre.
“Po unë e dij pse jam këtu. Është ekip i madh dhe për këtë jam këtu për të dhënë më të mirën për të kërkuar titujt, të luajmë në Liga Europa që është objektiv i madh për ekipin. Gjithashtu për të demonstruar më të mirën nga vetja, ashtu si kam bërë në skuadrat paraprake. Pres të jemi kampion dhe gjërat të shkojnë mirë këtu” – tha Huan Felipe për sajtin zyrtarë të klubit.
Duke ditur ambiciet e skuadrës braziliani thotë se është i vetëdijshëm përse Shkëndija e solli në skuadër.
“Sigurisht se po. Unë gjithmonë kam folur me Zhuniorin, pasi ne jemi miq të afërt dhe kur unë vija në shtëpinë e tij, apo kur ai vinte te unë gjithmonë kemi folur se Shkëndija është skuadër e madhe dhe me kalimin e kohës sigurisht se do të realizojë objektivin e vet të luajë në Liga Europa. Tani me ardhjen time këtu pres që të arrijmë objektivat të luajmë në Liga Europa dhe të hyjmë në fazën e grupeve” – tha Felipe.
Braziliani në fund ka përsëritur kënaqësinë që firmos me Shkëndijën dhe nëse do pyetej nëse është i vetëdijshëm se bëhet pjesë e klubit më të mirë në Maqedoni, në përgjigjen e tij nuk ka asnjë dilemë.
“Po, sigurisht. E dij se Shkëndija është skuadër shumë e madhe dhe për këtë unë jam këtu. Nëse një skuadër është e madhe, atëherë duhet të ketë lojtarë të mëdhenj gjithashtu”, përfundoi Felipe.