Ndeshja e kthimit midis FC Shkupit dhe armenëve të Pjunik, e vlefshme për rrethin e parë të ndeshjeve eliminatore të Liga Europa, do të zhvillohet nën dritën e prozhektorëve. Edhe pse nga UEFA kishin paraparë që kjo ndeshje të zhvillohet me fillim në ora 19:00, me kërkesë të drejtuesve të FC Shkupit, e njëjta në arenën “Todor Proeski” në Shkup do të zhvillohet me fillim në ora 20:30, njofton “infOSport.mk”.
Kjo ndeshje në program është me datë 18 korrik, ndërsa ndeshjen e parë ndaj këtij rivali, “pëllumbat” nga Çairi do ta zhvillojnë një javë më herët (11 korrik), në Erevan në “Gyumri City Stadium” me fillim në ora 15:30.
Rikujtojmë ky është viti i dytë me rradhë që FC Shkupi po prezanton vendin tonë në eliminatoret e Liga Europa, pasi vitin e kaluar që në rrethin e parë u përballë me Gllazgou Renxhersin. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Skoci, “bardhekaltërit” pësuan disfatë 2:0, ndërsa ndeshja në kryeqendrën tonë u mbyll me barazim pa gola.