Feronikeli do të përballet me skuadrën, Santa Coloma, në kuadër të finales së mini-turneut, të preliminareve të Ligës së Kampionëve Europian në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për këtë takim, për faqen zyrtare të klubit nga Drenasi ka folur edhe kryetrajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, i cili tha se në prag të këtyre ndeshjeve europiane klubi është i bashkuar si një familje e madhe.
“Kemi atmosferë të mirë në klub, ka pothuajse një javë që jemi vendosur në karantinë ku kemi qëndruar së bashku si një familje e madhe”, tha fillimisht strategu shkupjan, Zekirja Ramadani.
I pyetur nëse ka pasur kohë të mjaftueshme për rikuperim, trajneri u deklarua më se optimist.
“Kushtet janë mese perfekte për rikuperim, e falënderoj Kryetarin e klubit, z. Ramaj, për këto mundësi, koha është e shkurtër, por në këto kushte mendoj se është më shumë se e mjaftueshme për rikuperim të futbollistëve”, – deklaroi Ramadani, i cili gjithashtu theksoi që janë munduar të gjejnë pikat e dobëta dhe ato të forta të kundërshtarit.
“Kemi analizuar gjysmëfinalen e që e fitoi Santa Coloma dhe jemi munduar ti gjejmë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit në fitoren e këtyre të fundit ndaj Tre Penne” – përfundoi Ramadani.
Ndeshja finale e ndeshjes preliminare të Ligës së Kampionëve midis Feronikelit dhe Santa Coloma në program është të premten (sot) në mbrëmje me fillim në ora 20:45.