Interesimi i Fenerbahçes për futbollistin nga Shkupi Omar Imeri nuk është vetëm lajm për tërheqje të vëmendjes apo rritje të çmimit të lojtarit, pasi mediat turke vazhdojnë të insistojnë në atë se gjigandët e Stambollit janë të fiksuar pas mesfushorit shkupjan që luan në radhët e Shkëndijës së Tetovës dhe me çdo kusht dëshirojnë ta marrin në radhët e tyre.
Paraqitjet e mira në sezonin që lamë me fanellën e kuqezinjëve dhe gjithashtu paraqitjet e shkëlqyeshme me Kombëtaren U21 të Shqipërisë kanë bërë që Omar Imeri të jetë në qendër të vëmendjes këtë fillim merkato, e sidomos nga një gjigand siç është Fenerbahçe.
Duke parë krizën financiare që ka kapluar klubin nga Stambolli, ata janë të fokusuar në talentët e rinjë dhe sipas “TRT SPOR” që ishin ndër të parët që zbuluan interesimin e Fenerbahçes për Imerin, pikërisht të njejtit vazhdojnë të shkruajnë se “verdhekaltërit” janë shumë afër për ta “rrëmbyer” talentin e kampionëve të Maqedonisë së Veriut dhe janë të gatshëm të paguajnë 350 mijë euro klauzolën që ka lojtari nën kontratë me Shkëndijën që në të ardhmen të përfitojnë më shumë nga shitja e tij, ashtu edhe siç janë duke bërë për momentin me Elif Elmas, që këtij të fundit vlera iu është rritur në 20 milionë euro.
Sipas mediave turke, skautët e Fenerbahçes e kanë ndjekur Imerin së fundmi në ndeshjen Shqipëri-Turqi në U21 dhe kanë pëlqyer tejmase, ndërsa nga ai takim kanë filluar edhe kontaktet e para, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të bisedojnë rreth detajeve të transferimit./InfOSport.mk