Edhe pse javë më parë mediat në Turqi, por edhe në vend shkruajtën rreth transferimit të mundshëm të Ali Adem te gjigandët turq të Fenerbahçes, një gjë e tillë si duket nuk do të ndodh. Burime të afërta me “infOSport.mk” konfirmojnë se 19-vjeçari shkupjan, aktualisht pjesë e Vardarit, karrierën e tij mund ta vazhdojë në Portugali, te skuadra e Sportingut të Lisbonës.
Menaxheri i tij, Rahman Kishçe, gjatë javës që vjen pritet të udhëtojë vetë drejt Portugalisë, për të precizuar detajet e marrëveshjes, dhe nëse palët dalin të kënaqura, nuk është për tu habitur, nëse Ali Adem e shohim me fanellën e Sportingut të Lisbonës, një ndër skuadrave më të famshme në Portugali, aty ku mund të bashkohet me reprezentuesin aktual të Maqedonisë së Veriut, Stefan Ristovski.
Adem si kapiten i ekipit të të rinjëve të Vardarit këtë edicion ngriti lartë trofeun e Kupës së Maqedonisë, ndërsa me ekipin e parë “kuqezi” po luan tashmë një vit e gjysmë, ku ka regjistruar edhe 17 paraqitje në Ligën e Parë të Maqedonisë dhe 1 në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Liga Europa.