Skuadra kampione e Maqedonisë në futboll, Shkëndija ka konfirmuar zyrtarizimin e zgjatjes së bashkëpunimit me mesfushorin strugan, Besmir Bojku.
Kryesia e klubit dhe futbollisti kanë gjetur akordin për rinovimin e kontratës (3+1) e cila 24 vjeçarin do ta mbajë në taborin “kuqezi” të paktën deri verën e vitit 2022, me opsion që bashkëpunimi të zgjatet edhe për një vit shtesë.
Në të njejtën kohë të dyja palët kanë vlerësuar se interes i përbashkët në këtë moment është që futbollisti të ketë më shumë hapsira për lojë dhe për këtë arsye klubi vendos që në sezonin garues 2019/2020 Besmir Bojku të luajë në formë huazimi te skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, që drejtohet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani.
Një gjë të tillë “infOSport.mk” kishte paralajmëruar që ditë më parë, njëjtë sikurse edhe për largimin e Izair Eminit, për të cilin njoftuam gjatë ditës së djeshme.
Kontrata e Eminit me Shkëndijën përfundoi pikërisht gjatë ditës së sotme, ndërsa njëjtë sikurse Bojku, edhe sulmuesi tetovar pritet të luaj në kampionatin kosovar.