Arsenali i Granit Xhakës është turpëruar sonte në Baku të Azerbejxhanit, duke u mundur nga Çelzi në finalen e madhe të Liga Europa me rezultatin 4:1, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “blu” nga Londra ishte superiore, sidomos gjatë 45 minutëshit të dytë kur edhe bëri dallimin. Olivie Zhiru paralajmëroi fitoren e Çelzit me golin e shënuar në minutën e 49-të, ndërsa nuk vonoi shumë spanjolli Pedro në minutën e 60-të shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Peter Çeh.
Një penalti e shkaktuar ndaj francezit Olivie Zhiru në minutën e 65-të u shndërrua në gol nga ana e Eden Hazard, i cili sonte me shumë gjasa zhvillonte ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Çelzit, për të cilën skuadër në minutën e 72-të shënoi edhe golin e katërt pas një super kombinimi të dyfishtë me Zhiru, transmeton “infOSport.mk”.
Golin e vetëm për “topçinjtë” e realizoi rezervisti Ivobi në minutën e 69-të, kur kishte ngushtuar rezultatin në 3:1.
Për Çelzin është ky trofeu i dytë në kuadër të Liga Europa, pas atij në sezonin 2012/2013.