Ndeshja e së dielës kundër Shkëndijës për kapitenin e Renovës Fisnik Nuhiu do të jetë e fundit në karrierën e tij. Siç mëson “infOSport.mk”, 36-vjeçari ka vendosur që ti jap lamtumirën futbollit aktiv pikërisht në këtë ndeshje të veçantë, duke pasur parasysh se hapat e parë me futbollin i kishte bërë pikërisht me skuadrën e Shkëndijës.
Nuhiu është një ndër futbollistët më të mirë që ndonjëherë ka luajtur në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, ku numëron më shumë se 500 ndeshje zyrtare.
Ai karrierën e tij e kishte nisur te Shkëndija si pioner, për të vazhduar më pas te Vardari, te e cila skuadër kishte kaluar të gjitha kategoritë e reja, deri te ekipi i parë, kur në vitin 2000 në ndeshjen ndaj Tikveshit kishte bërë edhe debutimin e tij. Ai para se të fillonte sezonin me Vardarin kishte kaluar në rradhët e Slloga Jugomagnatit (FC Shkupit), duke nënshkruar kontratë 4-vjeçare, mirëpo që nuk kishte arritur të zhvillojë asnjë ndeshje zyrtare.
Vardari e kishte fituar çështjen në Federatë, ashtu që ishte i detyruar të rikthehej sërish te Vardari, nga e cila skuadër në vitin 2001 ishte transferuar te Prishtina. Aventura e tij te skuadra kosovare ishte e shkurtër, dhe vetëm pas një viti ai u rikthye te Shkëndija, pjesë e së cilës ishte nga qershori i vitit 2002, deri në dhjetorin e vitit 2004, ndërkohë që nga janari i vitit 2005, e deri më sot Fisnik Nuhiu është pjesë e Renovës.
Pra plotë 14 vite e disa muaj pjesë e skuadrës nga Xhepçishti, me të cilën njëherit ka arritur edhe sukseset më të mëdhaja në karrierë, duke u shpallur fillimisht kampion në sezonin 2009/2010, ndërsa vetëm një sezon më pas po me të njëjtën skuadër kishte fituar Kupën e Maqedonisë, kur në finalen e madhe të zhvilluar në Shtip kishin mundur Rabotniçkin me rezultatin 3:1, transmton “infOSport.mk”.
Kur jemi te sukseset e kapitenit legjendar të Renovës, duhet theksuar se i njëjti si junior me Vardarin në vitin 2000 ishte shpallur kampion, por njëkohësisht kishte fituar edhe Kupën e Maqedonisë, ndërsa po i njëjti për 6 vite të plota kishte zhvilluar ndeshje në garat europiane me Renovën.