Sot në elitën e futbollit vendor në program ishin ndeshjet e javës së 35-të, pas së cilave u bë tashmë e qartë edhe fotografia rreth vendeve të fundit në tabelën e klasifikimit, njofton “infOSport.mk”.
Disfata nga Rabotniçki në terren vendas ju dha fund shpresave të Bellasicës për mbijetesë, ashtu që skuadra nga Strumica sezonin e ardhshëm, bashkë edhe me Pobedën do të luajnë në Ligën e Dytë futbollistike të Maqedonisë, teksa Sileksi pavarësisht rezultatit në ndeshjen e fundit kundër Bellasicës do të luaj në balotazh, edhe atë me fituesin nga përballja midis Tikveshit dhe Labunishtit, ndërkohë ende mbetet e hapur lufta për atë pozitë të katërt, ku në luftë janë 4 skuadra, mirëpo me Rabotniçkin dhe FC Shkupin më të favorizuara.
Pikërisht këto dy skuadra do të takohen mes tyre javën që vjen, ashtu që skuadra fituese do të rrëmbente atë pozitë të katërt, që më pas të shpresojë që të mërkurën në finalen e Kupës së Maqedonisë, Akademia Pandev të mund Makedonija GJ.P.