Futsal Shkupi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, pasi të mërkurën në mbrëmje në rolin e mysafirit në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava, mundi ekipin e Juventus Seravës me rezultatin 8:6, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo një super ndeshje, në të cilën kampionët e ri të vendit diktonin tempo, ndërsa pjesa e dytë solli një lojë shumë cilësore, ku u shënuan edhe disa gola të bukur. Rexhep Sulejmani sërish ishte në element duke shënuar dy gola në këtë përballje, po aq sa shënuan edhe Taulant Ismaili dhe Eroll Dalipi, teksa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Arsim Fazliu dhe Berat Ramadani.
Në anën tjetër te Juventus Serava në listën e golashënuesve u regjistruan 3 lojtarë, të cilët shënuan nga dy gola. Pajtim Rexhepi, Reshat Aliu dhe Furkan Shabani ishin ndër emrat që shënuan, me këtë të fundit që shkëlqeu në parket, duke përfituar në disa raste edhe duartrokitjet e publikut.
Rikujtojmë Furkan Shabani, talenti i Juventus Seravës është edhe pjesë e përfaqësueses U19 të Maqedonisë.