Partizani edhe zyrtarisht është shpallur kampion i Shqipërisë në futboll për edicionin 2018/2019, duke i dhënë fund agjerimit 26-vjeçar pa trofeun e më të mirit. Partizani në derbin e javës së 33-të në Superligën shqiptare mundi Tiranën me rezultatin 2:1, duke u shpallur kampion edhe matematikisht 3 javë para mbylljes së kampionatit.
Heroi i ndeshjes të zhvilluar në “Selman Stërmasi” ishte shkodrani Çinari, që me dopietën e tij vendosi takimin, teksa golin e vetëm për Tiranën e realizoi Greca në minutën e 41-ë.
Falë kësaj fitore Partizani tashmë numëron 68 pikë, 13 më shumë se Kukësi i vendit të dytë, ndërkohë Tirana me 40 pikë mbetet në pozitën e 8-të, duke vazhduar luftën për mbijetesë me Luftëtarin dhe Kastriotin, skuadra këto që sot shënuan fitore përballë Flamurtarit, gjegjësisht Kukësit.
Fitore në ndeshjet e sotme në Superligën shqiptare realizoi edhe Teuta, që në Korçë me rezultatin 2:1 mundi Skënderbeun.