Të jesh i suksesshëm në sport kërkon shumë përkushtim dhe paralel me skautingun për grumbullim të lojtarëve cilësorë e rëndësisë kapitale është ritja e talentëve nga të rinjë premtues në lojtarë kualitativ të gatshëm të marrin mbi supet e tyre përgjegjësinë e titularit. Kjo vlenë për gjitha pozitat në lojën e futbollit, por gjithmonë më i komplikuar është roli i portierit duke ditur kompleksitetin e pozitës për të mbrojtur kuadrantin. Shkëndija e Tetovës duket se ka gjetur formulën e suksesit dhe paralel me katër trofe të fituar në tre sezonet e fundit, gjithnjë promovojnë talente të reja nga shkolla e futbollit. Përjashtim nuk është pozicioni i mbrojtësit ekstrem, ku kuqezinjtë duken të siguruar edhe në shtigje të gjata. Kostadin Zahov gjithsesi se është një prej pikave më të forta të kuqezinjëve tetovarë në ecurinë e suksesshme tre sezonet e fundit, mirëpo te Shkëndija kampione tashmë spikat edhe një pikë shumë e rëndësishme. Bekim Rezhepi është portieri i ri që me performansat e tij në kuadrantin e tetovarëve jep sinjalet se po ritet një gardian shumë cilësorë dhe me perspektivë. Shkupjani shfrytëzon maksimalisht mungesën e Zahovit të lënduar dhe tashmë disa ndeshje me rradhë jo vetëm që qëndron në portë, por në të njejtën kohë ofron siguri mbrojtjes kuqezi. 22 vjeçari luan sezonin e dytë me Shkëndijën dhe deri tani regjistron 14 paraqitje zyrtare, nga 7 në secilën kampanjë. Ajo që dukej fat i keq për Shkëndijën kur sezonin e kaluar mbeti pa portierin e parë Zahov në ndeshjen kyçe kundër Vardarit në Shkup, rezultoi moment shkëlqimi për Rexhepin që debutoi dhe shkëlqeu në triumfin 3:2 në derbi. Në sezonin aktual sërish lëndohet Zahov dhe Rexhepi shfrytëzon mundësinë duke performuar në nivel të lartë, mes tjerash duke mbajtur të paprekur portën në transfertat me Vardarin e Rabotniçkin.
“Definitiv Bekim Rexhepi me paraqitjet e tij ka dëshmuar se te ai mundet dhe duhet të llogarisim si portier i të ardhmes për Shkëndijën. Mendoj se është periudhë ideale për një trajner të ketë këtë hapsirë të shohë disa ndeshje me rradhë lojtarët që kanë pasur më pak hapsirë për të luajtur”, ka thënë trajneri i Shkëndijës Qatip Osmani.
Fjalët lavdëruese gjithmonë janë të mirëseardhura, posaçërisht kur vijnë nga goja e trajnerit që të sheh çdo ditë në seancat stërvitore. Tre ndeshjet në vazhdim duket se do jenë mundësi të reja për Rexhepin dhe gardiani shkupjan tashmë ka gjitha mundësitë për të ecur para. Një klub i fortë dhe stabil, besim nga tekniku Osmani dhe trajneri i portierëve Samet Zendeli dhe një super Kostadin Zahov nga i cili Rexhepi vetëm se mund të përfitojë. Vetëm 22 vjeçar tashmë fiton dy tituj kampion dhe një trofe të Kupës dhe fakti që nuk ishte vetëm një rezervë por kontribuoi me paraqitjet e tij në terren japin indikacionet se tashmë Shkëndija ka gjetur portierin e të ardhmes në emrin e Bekim Rexhepit.