Renova pa dy sulmuesit e saj kryesor ndaj Bellasicës

Renova sot në kuadër të javës së 33-të në elitën e futbollit vendor do të jetë mysafir i Bellasicës në Strumicë. “Gjipspunuesit” në këtë ndeshje vijnë pas fitores së thellë 9:1 të shtunën ndaj Pobedës, ku 6 gola shënoi dyshja sulmuese Vllatko Stojanovski – Emran Ramadani, njofton “infOSport.mk”.

I pari realizoi 4 gola, duke marrë kryesimin në listën e golashënuesve, teksa Ramadani realizoi dy gola në rrjetën e skuadrës nga Prilepi.

Megjithatë që të dy këta super futbollistë do të mungojnë përballë Bellasicës, për shkak 5 kartonëve të verdhë. Mungesa e tyre do të ndikojë shumë, sidomos në lojën ofenzive të skuadrës tetovare, ku trajneri Ilievski do të duhet të inkuadrojë që nga fillimi sulmuesin rezervë, Lutfi Bilalin, duke mos harruar këtu edhe Emanuel Mbellan.

Rikujtojmë Stojanovski me Renovën gjatë këtij sezoni numëron 18 gola të shënuar, teksa Emran Ramadani ka të shënuar 6 gola. Në mungesë të tyre, si golashënues më i mirë i skuadrës nga Xhepçishti në këtë ndeshje do të jetë Burhan Mustafov, futbollisti i ardhur në merkaton e dimrit nga rradhët e Pobedës.

Leave a Reply