Barcelona dhe Messi fluturojnë, “katalunasit” shumë pranë finales së madhe (VIDEO)

Kur Lionel Messi është në nivelin e duhur, atëherë Barcelonën nuk mund ta ndali askush. Ashtu ndodhi edhe sonte në “Kamp Nou” në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në të cilën ndeshje “katalunasit” shënuan fitore 3:0 ndaj Liverpullit, njofton “infOSport.mk”.

Rezultati ndoshta është i lartë në bazë të lojës së treguar nga ana e djemve të trajnerit Jurgen Klop, të cilët në disa raste rrezikuan dukshëm portierin Ter Shtegen, i cili me disa intervenime bravuroze nuk lejoi gëzimin e Milner dhe Mohamed Sallah.

Ndryshe Luis Suarez me një mjeshtëri të madhe në minutën e 26-të kaloi në epërsi Barcelonën, teksa pjesa e dytë kaloi në shenjë të Lionel Messit, i cili realizoi që të dy golat.

Dy golat e Messit ndaj Liverpullit…Kënaquni në magjitë e yllit argjentinas të Barcelonës, që sonte mundi Liverpullin me rezultatin 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Публикувахте от infosport.mk в Сряда, 1 май 2019 г.

Fillimisht në minutën e 75-të përfitoi nga një top i devijuar nga traverza, teksa në minutën e 82-të shënoi golin më të  bukur të mbrëmjes, kur nga gjuajtja e lirë edhe për herë të tretë mposhti  portierin Alison, transmeton “infOSport.mk”.

Për Lionel Messin ishte ky goli i 112-të në Ligën e Kampionëve dhe gjithsej i 600-ti me fanellën e Barcelonës në karrierë.

Deri në fund Barcelona mund të shënonte edhe golin e katërt, kur kësaj rradhe Messi në rolin e asistuesit mjaft mirë servoi një top për Dembelen, mirëpo ky i fundit dërgoi topin vetëm deri në duart e Alison.

Në anën tjetër Mohamed Sallah ishte shumë afër golit të parë dhe të shpresës ndoshta për Liverpullin, mirëpo tentativa e tij nga brendia e zonës, menjëherë pas golit të tretë të Barcelonës përfundoi në shtyllë.

Ndeshja e kthimit midis Barcelonës dhe Liverpullit në “Enfilld Roud”  në program është me datë 7 maj (e martë).

Leave a Reply