Sonte janë zhvilluar ndeshjet e kthimit të ¼ së finales në Liga Europa, që sollën disa rezultate interesante. Ajntraht Frankfurti mundi Benfikën me rezultatin 2:0, dhe falë golave të shënuar si mysafir (2:4), arriti që të kualifikohet për në gjysmëfinale, ku do të përballet me Çelzin.
Në përballjen tjetër gjysmëfinale do të luajnë Arsenali dhe Valencia.
Ajntrahti ishte mundur 2:4 në ndeshjen e parë në Lisbonë, mirëpo falë fitores sonte si vendas me rezultatin 2:0, me meritë vazhdoi tutje. Filip Kostiç dhe Sebastian Rode shënuan golat për skuadrën e Ajntrahtit, ndërsa Benfika në këtë ndeshje u dëmtua pasi goli i parë i gjermanëve u realizua nga një pozitë jashtë loje.
Congrats. pic.twitter.com/EGpUBKWyPY
— Jota (@joaopp1904) April 18, 2019
Në Napoli, skuadra e Karlo Ançelotit u mund sërish nga Arsenali. Pas disfatës 2:0 në Londër, sonte skuadra e Unaj Emerit shënoi fitore minimale 1:0, falë golit të shënuar nga ana e sulmuesit francez, Aleksandre Lakazet.
Valencia nuk hasi fare në probleme përballë Viljarealit, duke shënuar fitore 2:0 në “Mestalja”, dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:1 u kualifikua për në gjysmëfinale.
Çelzi dhe Slavia Praga zhvilluan një super ndeshje me 7 gola në “Stemford Brixh”, ndërsa në fund fitores iu gëzua skuadra vendase me rezultatin 4:3.
Kësisoj shorti ka bërë që në finalen e madhe të shohim edhe një finale londineze, gjithnjë nëse në gjysmëfinale Arsenali eliminon Valencian, teksa Çelzi skuadrën gjermane të Ajntraht Frankfurtit.
Sfidat e para gjysmëfinale do të luhen me datë 2 maj, duele në të cilat Arsenali dhe Eintraht Frankfurt janë përcaktuar si ekipe pritëse në fushën e tyre, ndërsa do të luajnë në transfertë duelet e kthimit që luhen më datë 9 maj përkatësisht në fushën e Valencias dhe Çelzit.