Mbrëmje mjaft e mirë për skuadrat angleze në Europa League, pasi të dy ekipet londineze, Arsenal dhe Chelsea hodhën një hap të rëndësishëm drejt kalimit në gjysmëfinale. Kështu “Topçinjtë” e Unay Emery kanë mposhtur në “Emirates Stadium” Napolin, me rezultatin 2-0, në një sfidë të cilën e zgjidhën që në pjesën e parë.
Futbollistët e Arsenalit e nisën mjaft vrullshëm takimin dhe shënuan në minutën e 15’ me anë të Ramsey, ndërsa 10 minuta më vonë, dyfishuan me një autogol të Koulibaly. Reagimi i Napolit nuk ishte në lartësinë e pritshmërive, çka bëri që sfida të mbyllej me rezultatin 2-0, që çon Arsenalin pranë kalimit në gjysmëfinale.
Skuadra tjetër e Londrës, Chelsea fitoi me rezultatin minimal 0-1 në transfertën çeke ndaj Slavias së Pragës, duke bërë më të lehtë kualifikimin për në ndeshjen e kthimit. Skuadra e Sarrit gjeti përballë një rival aspak të lehtë dhe vuajti shumë për të gjetur golin, të cilin e shënoi mbrojtësi spanjoll Alonso, në minutën e 86’.
Derbi spanjoll mes Villarealit dhe Valencias, foli për këta të fundit, që arritën të fitojnë me rezultatin 1-3 dhe të prekin kualifikimin për në gjysmëfinale.
Pjesa e parë përfundoi në barazim 1-1, pas golave të Guedes dhe Cazorlës, por Valencia shënoi dy herë të tjera në minutat shtesë, duke shtangur “nëndetësen e verdhë”.
I cilësuar si Cristiano Ronaldo i ri, Joao Felix “mori për dore” Benficën, në sfidën ndaj Eintrachtit të Frankfurtit, të cilën portugezët e fituan me rezultatin 4-2. Skuadra gjermane u penalizua nga një karton i kuq në minutën e 26’, ndërsa Dias dhe talenti portugez Joao Felix, 3 herë, shënuan golat në portën e Trapp. Jovic dhe Pacienca shënuan për Eintrachtin, që ka mbajtur gjithsesi gjallë shpresat për të synuar përmbysjen në ndeshjen e kthimit.