Totenhami është treguar mjaft cinik në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, teksa morri një fitore minimale 1:0 ndaj Mançester Sitit të Pep Guardiolas, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja nisi vrrullshëm, teksa në minutën e 13-të Mançester Siti kishte rastin më të mirë për të kaluar në avantazh.
Gjyqtari Bjorn Kajpers akordoi 11-metërsh në favor të Sitit pas konsultimit me sistemin VAR, me Deni Rouz që kishte prekur topin me dorë në zonë, ndërsa goditjen e Serhio Agueros e priti portieri Hugo Loris.
Në minutën e 58-të sulmuesi kryesor i Totenhamit, Hari Kejn pësoi një dëmtim të rëndë, pasi lëndoi kaviljen dhe sipas gjasave mund të humbasë pjesën e mbetur të sezonit aktual. Mirëpo edhe përkundër kësaj mungese të madhe në vazhdim të takimit të parë që u zhvillua në stadiumin e ri të Totenhamit, skuadra vendase arriti që të shënojë golin e epërsisë me anë të koreanit Heung Min Son në minutën e 78-të.
Tashmë gjitha shpresat e Mançester Sitit mbeten te ndeshja e dytë në “Etihad Stadium”, që në program është me datë 17 prill.