Interi humbi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Lazios në “San Siro”, duke mos shfrytëzuar një asist për të konsoliduar pozitën në zonën Champions, ndërsa të shumta ishin kritikat në drejtim të Spallettit, që vendosi të mos grumbullojë Mauro Icardin.
Në përfundim të takimit, trajneri sulmoi ashpër sulmuesin argjentinas, por edhe drejtuesit e skuadrës, duke thënë se ai nuk bën diferencën dhe se duhet të vijojë të qëndrojë jashtë ekipit.
“Të negociosh me ndërmjetësues, me një lojtar, për ta bindur të veshë fanellën e Interit, mendoj se është poshtëruese në drejtim të tifozëve dhe të shokëve të skuadrës. Icardi duhet të qëndrojë jashtë për mënyrën se si është sjellë dhe është e drejtë që të luajnë të tjerët Është çështje besueshmërie. Ne kemi humbur edhe ndeshje të tjera me Icardin në fushë, madje për shumë vite skuadra nuk shkonte në Champions, ndonëse ishte Icardi. Messi dhe Ronaldo bëjnë diferencën, por ka pak si ata në qarkullim. Të negociosh me avokat, për të veshur fanellën e Interit, është poshtëruese”, tha i nervozuar Spalletti.
Më pas tekniku zikaltër theksoi se disiplina është më e rëndësishme për një lojtar, ndërsa mbylli fjalën e tij duke thënë se Icardi do të jetë në grup, duke filluar nga ndeshja e ardhshme, por pas këtij sulmi vështirë se do të gjejë disponueshmërinë e argjentinasit.
“Gjëja që ka rëndësi në një lojtar është disiplina, ndaj duhet të hedh në fushë atë që e meriton të luajë, është një kusht i vazhdimësisë që ka trajneri. Flisni për Icardin sepse ju doni të bëni filmin tuaj. Duhet të ishte një ndeshje jashtë, tani ai sërish në grup”, shtoi trajneri i Interit