Përfaqësuesja e Kosovës shumë shpejtë është shndërruar në një skuadër shumë respektibile, derisa për një gjë të tillë po kontribuojnë edhe rezultatet që kjo skuadër po i arrinë në skenën ndërkombëtare, shkruan “infOSport.mk”.
Edhe pse deri para më shumë se një viti, “Dardanët” e kishin të vështirë të ju rezistonin edhe kombëtareve shumë të vogla, ata tashmë janë të pathyeshëm, duke bërë që të jenë në majën e klasifikimit Botëror.
Plotë 12 ndeshje përfaqësuesja kosovare nuk dinë për disfatë, që njëherit rezulton edhe skuadra me serinë më të mirë aktive në Botë. Këtë seri të ndeshjeve pa disfatë Kosova e kishte nisur që nga nëntori i vitit 2017-të, për të vijuar të njëjtën për gjatë gjithë vitit 2018-të në ndeshjet miqësore, por edhe në kuadër të Ligës së Kombeve si dhe ndeshjet e marsit të këtij viti, ku regjistroi dy barazime.
Pas barazimit 2:2 në miqësoren ndaj Danimarkës, ata mbrëmë barazuan edhe ndaj Bullgarisë (1:1) në ndeshjen e tyre të parë të një cikli elimiantorë.
Kosova do të kërkojë të ruajë këtë pathyeshmëri të saj edhe me duelet e muajit qershor, kur fillimisht me datë 7 në Podgoricë do të përballet me Malin e Zi, e më pas tre ditë më vonë në Sofje me Bullgarinë, me shpresë se do të vazhdojë të kryesojë këtë listë, ku aktualisht ndiqet nga Afrika e Jugut, që tashmë 11 ndeshje nuk dinë për disfatë, njofton “infOSport.mk”.
Pas kësaj dyshe me 9 ndeshje pa humbje vjen Kombëtarja e Malit, për të vijuar më pas kombëtaret si Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Portugalia dhe Serbia që 8 ndeshje me rradhë nuk dinë për disfatë, ndërkohë janë këtu edhe Brazili dhe Anglia, dy kombëtare që nuk njohin disfata që nga ndeshjet e fundit që zhvilluan në kuadër të Botërorit “Rusi 2018”.
Klasifikimi i Kombëtareve me serinë më të mirë aktive: |
1. Kosova – 12 ndeshje pa disfatë |
2. Afrika e Jugut – 11 ndeshje |
3. Mali – 9 ndeshje |
4. Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Portugalia dhe Serbia – 8 ndeshje |
5. Brazili, Anglia, Maroku, Nigeria dhe Katari – 7 ndeshje |