Mançester Junajtedi ka vënë në tre yjet portugeze, me shpresë se në mesin e njërit prej tyre do të gjejë pasuesin e Kristiano Ronaldos. Fjala është për dyshen e Benfikës Zhoao Feliks dhe Ruben Dias, si dhe për sulmuesin e Sportingut, Bruno Fernandesh.
Sipas asaj që shkruan “Mirror”, drejtuesit e skuadrës nga “Olld Traford” kanë bërë gati 291 milionë euro për të siguruar firmën e tre futbollistëve të talentuar dhe për t’i vënë në qendër të projektit të tyre, për të punuar me futbollistë të rinj, ashtu siç bënte edhe trajneri legjendarë, Aleks Ferguson.
Zhoao Feliks ka një klauzolë largimi prej 120 milionë eurosh, ndërsa gjysmën e kësaj shume Junajtedi do të duhet ta harxhojë për shokun e tij te Benfika, Ruben Dias. Ndërkohë klauzola e sulmuesit të Sporting Lisbonës, Bruno Fernandesh, kalon shumën e 100 milion eurove.
Mirëpo kjo treshe nuk pëlqehet vetëm nga Junajtedi, pasi ata njëkohësisht ndiqen me interes nga klubet e mëdha europiane, përfshirë këtu edhe Real Madridin, që thuhet se është vënë pas të njëjtëve futbollistë.
Zhoao Feliks në 18 ndeshje këtë edicion në Portugali ka regjistruar 10 gola dhe 5 asiste, Fernandesh ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 10 asiste, ndërkohë Dias që në moshën 21 vjeçare është kthyer në pikën e referimit të mbrojtjes së Benfikës, skuadër kjo që ditë më parë eliminoi Dinamo Zagrebin e Arijan Ademit dhe Amir Rrahmanit nga ndeshjet e Liga Europa.