Në mesin e shumë urimeve nga bota e futbollit Evropian dhe Botëror për zgjedhjen e Muamed Sejdinit për president të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, nuk kanë munguar as fjalët e të parit të FIFA-s Xhani Infantino si dhe atij të UEFA-së, Aleksandar Çeferin.
“I dashur president, dëshiroj t’ju përgëzoj sinqerisht dhe të shpreh urimet më të mira me rastin e zgjedhjes suaj si President i FFM-së. Ne jemi të sigurt se njohuritë, udhëheqja dhe përvoja juaj si ushtrues detyre i presidentit, nënkryetarit dhe anëtar i bordit drejtues të federatës, me siguri do të ketë një ndikim pozitiv në zhvillimin e mëtejshëm të lojës së futbollit në vendin tuaj. Dyert e organizatës sonë gjithmonë do të jenë të hapura për bisedime që mund të kontribuojnë në zhvillimin e futbollit”, ka shkruar Infantino.
Ndërkohë Çeferin uron Sejdinin dhe falënderon për udhëheqjen e FFM-së në muajt e fundit si ushtrues i detyrës së presidentit.
“Nuk është e lehtë të jesh president i FFM-së në një situatë të tillë. Ju uroj gjithë të mirat në të ardhmen dhe nuk kam asnjë dyshim se FFM është në duar të sigurta. UEFA do të jetë gjithmonë mbështetja juaj”, shkruhet mes tjerash në letrën e presidentit të UEFA-së, Çeferin.
Kujtojmë që Muamed Sejdini u zgjedh një javë më parë kryetar i federatës në kuvendin e zhvilluar në Ohër.