Emir Lenjani është tërhequr nga Kombëtarja e Shqipërisë përkohësisht ose thënë më mirë deri sa është seleksionues italiani Kristian Panuçi. Kombëtarja sot zhvilloi stërvitjen e parë, ndërsa Andi Lila dhe Egzon Binaku dolën jashtë kombinimit për të luajtur për shkak lëndimeve dhe seleksionuesi italian në mungesë të një mbrojtësi të majtë, sërish nuk i bëri ftesë Emir Lenjanjit. Ky i fundit ka shpërthyer, duke reaguar ndaj Panuçit përmes një postimi në profilit e tij në fejsbuk.
“Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Saherë jam ftuar e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi e kam veshur me shumë dashuri. Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë. Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë. Tani në dy vitet e fundit jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohemnga trajneri momental i Kombëtares. Nuk kam luajtur asnjë minut në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort. Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë. Faleminderit, por JO. Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt. Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djal i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar”, ka shkruar Lenjani.