Koha sa vjen e ngushtohet dhe 16 skuadra do të kërkojnë kualifikimin në fazën çerekfinale të Liga Europa, e ku vetëm 8 prej tyre do e realizojnë këtë objektiv mjaft të rëndësishëm që të dhuron një tjetër motiv për t’i shkuar deri në fund këtij turneu.
Sfidat e para të raundit të 1/8-ave janë zhvilluar tashmë dhe gjithçka do të përcaktohet në ndeshjet e kthimit, ku disa ekipe vijnë me një garanci më shumë falë rezultateve të arritura të enjten e kaluar.
Inter, në prag të derbit të “Madonninës” kundër Milanit, duhet fillimisht të hipotekojë kalimin në çerekfinale. Në Frankfurt gjithçka përfundoi me shifrat e bardha 0:0, ndërsa për sfidën e sotme, “zikaltrit” kanë jo pak probleme.
Lautaro Martinez, që ka marrë rolin e liderit në sulm pas mënjanimit të Ikardit, është i pezulluar, ndërsa gjithashtu i skualifikuar është edhe Kvadvo Asamoah.
Në këtë mënyrë pritet që Spalletti t’ia besojë sulmin Keita Baldes.
Në anën tjetër pa probleme nuk është edhe trajneri i skuadrës gjermane, Adolf Hutter, i cili nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Gelson Ferandesh, i pezulluar. Pritet një sfidë mjaft delikate në “San Siro”, ku gjithçka mund të vendoset nga një episod.
Një detyrë mjaft të vështirë do të ketë edhe Arsenali i Shkodran Mustafit dhe Granit Xhakës. “Topçinjtë” në “Emirates Stadium” do të duhet të përmbysin humbjen 3:1 të pësuar në sfidën e parë ndaj Rennes.
Greku Papastatopulos është i skualifikuar, ndërsa lajmi i mirë është rikthimi i Lakazete, për të cilin UEFA vendosi t’i shkurtonte kohën e dënimit dhe pikërisht francezi do të udhëheqë sulmin së bashku me Obamejang, që ende nuk ka gjetur golin e parë në Liga Europa në fazën me eliminim direkt.
Në 13 rastet kur Arsenali ka ardhur me humbje në ndeshjen e parë në këtë kompeticion të UEFA-s, vetëm 3 herë ka arritur ta kthejë në favor duelin.
Një shëtitje në Ukrainë parashikohet për Çelzin transferta në Kiev ndaj Dinamos. Fitorja 3:0 e londinezëve në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Stemford Brixh”, e ka thjeshtësuar kalimin në raundin tjetër të skuadrës së Mauricio Sarri.
Në të njëjtën situatë është edhe Napoli. Italianët kanë udhëtuar për në Salzburg, pas një triumfi 3:0 në “San Paolo”. Në futboll gjithçka mund të ndodhë, por duket e vështirë që austriakët të përmbysin atë disfatë të pësuar në “San Paolo”.
Shumë më shumë dyshime ka dueli mes Krasnodarit dhe Valencias. Spanjollët fituan 2:1 në “Mestalja”, të udhëhequr nga Moreno, megjithatë ai gol i rusëve, i shënuar nga Klaeson, i ka mbajtur të gjalla shpresat e skuadrës së Murad Musayev.
Dy mungesa për secilin ekip, pasi Krasnodari nuk ka të gatshëm për shkak pezullimi Kabore dhe Martinoviç, ndërsa në krahun tjetër Los Murcielagos janë pa kapitenin Parejo dhe qendërmbrojtësin Roncalglia, të dy të skualifkuar.
Barazimi 2:2 në “Ramon Sançez Pizhuan” ka bërë që Slavia Praga ta nisë e avantazhuar takimin e kthimit përballë Seviljës. Çekët janë pa Coufal, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa pritet ta nisë nga stoli ish sulmuesi i Skënderbeut, Piter Olaynka, ndërkohë që trajneri i “andaluzianëve”, Pablo Machin do t’ia besojë fazën ofensive treshes Sarabia, Ben Jeder, EL Hadadi.
Viljareali është me një këmbë e gjysmë në çerekfinale, pas triumfit 3:1 në Shën Petërburg ndaj Zenitit. “Nëndetësja e verdhë” duhet vetëm të administrojë avantazhin e siguruar në “Gazprom Arena”.
2 finale në 6 vitet e fundit, por pa arritur të triumfojë, Benfika kërkon t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni dhe për ta bërë këtë duhet të përmbysë humbjen 1:0 në Zagreb ndaj Dinamos së Arian Ademit dhe Amir Rrahmanit.
Stadiumi “Da Luz” do të jetë mbështetja më e madhe për portugezët, të cilët kanë 13 takime që nuk dorëzohen në impiantin e tyre. (SS)