Berndard Challandes ka publikuar listën me futbollist për dy ndeshjet e Kosovës në muajin mars, me Danimarkën në miqësore dhe Bullgarinë në eliminatoret e Euro 2020.
Florent Hasani, Bersant Celina e Bernard Berisha janë 3 futbollistët e rinj të ftuar nga trajneri Challandes, të cilët nuk ishin në dispozicion të teknikut në ndeshjen e fundit ndaj Azerbajxhanit. Celina dhe Berisha, duhet saktësuar, kanë qenë pjesë e Kosovës në grumbullimet e mëparshme, ndërsa për Hasanin do të jetë hera e parë që do të veshë fanellën e Përfaqësueses A.
Mbetet jashtë listës Donis Avdijaj, që pavarësisht se është zyrtarisht lojtar i Willem II në Holandë, nuk po luan me këtë skuadër (madje është pezulluar pak muaj më parë për çështje disiplinore). Ka merituar grumbullimin edhe Lirim Kastrati, i cili është shok skuadre me sulmuesin e Shqipërisë, Myrto Uzuni te Lokomotiva e Zagrebit.