Fitorja e madhe në derbi ka kënaqur të gjithë ata që përkrahin FC Shkupin, por edhe vet aktorët e fushës. Protagonisti kryesor që vendosi derbin, Muharem Bajrami ka folur për mediat pas përfundimit të takimit, duke shprehur kënaqësinë për pikët e fituara si dhe për ecurinë e mirë të skuadrës “bardheblu”, duke ia dedikuar kështu triumfin tifozëve të tyre “Shvercerave”.
“Kënaqësi e madhe të fitohet përpara kësaj tifozërie të zjarrtë, këtë fitore ja dedikojmë atyre, sepse gjatë kohë kishte që Shkupi në këtë stadium nuk e kishte fituar Shkëndijën. Sa i përket ndeshjes mendoj se me plotë meritë e kemi fituar, në pjesën e parë kishim edhe dy raste për ta mbyllë ndeshjen më herët, por sidoqoftë duhet të jemi të kënaqur, fitore kjo e tretë radhazi. Vërtet skuadra po kalon një formë të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë ti gëzojmë tifozët tanë me loja të mira”, tha Muharem Bajrami.
Shkupin në xhiron e radhës e pret një derbi tjetër, ai ndaj Vardarit. Kapiteni i Shkupit ka folur pak edhe për ndeshjen që pason.
“Do të përgatitemi si për ndeshjet tjera, ashtu sikurse ishim përgatitur për Akademija Pandevin, si për Shkëndijën edhe për Vardarin do të jetë njëjtë. Do të thotë shkojmë ndeshje pas ndeshje, dhe shpresoj që edhe në këtë ndeshje të shohim fytyrën e vërtetë të këtyre katër ndeshjeve që kemi lënë tash pas vete”, ka përfunduar Bajrami.