Roma shumë shpejtë gjen pasuesin e Di Françeskos, nuk është Panuçi

Drejtuesit e Romës kanë reaguar shumë shpejtë pas shkarkimit të trajnerit Euzebio Di Françesko, vendin e të cilit do ta zë trajneri i mirënjohur italian, Klaudio Ranieri. Në garë për këtë post te skuadra “romake” ishte edhe seleksionuesi i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi.

Mediat italiane raportojnë se emri i tij ishte në majë të listës, falë edhe mbështetjes së Totit dhe De Rosit, ashtu si edhe pjesës tjetër të skuadrës që e sheh atë si një romanist të mirëfilltë që njeh mirë ambientin.

Por Panuçi kishte vendosur një kusht shumë të rëndësishëm në negociatat që ka bërë me klubin, atë të një kontratë prej një viti e gjysmë. Trajneri kërkonte t’i jepej koha e duhur për të shprehur idetë e tij në lojën e skuadrës dhe këtë nuk mund ta bënte për pak muaj. Ai kishte bërë të ditur njëkohësisht se në rast moskualifikimi në Ligën e Kampionëve në fund të këtij edicioni, kjo kontratë do të cilësohej e pavlefshme.

Por drejtuesit e “ujkeshës romake” kishin refuzuar një kërkesë të tillë për një kontratë afatgjate, pasi duket se janë të interesuar si fillim për një trajner i cili të udhëheqë ekipin deri në fund të sezonit e më pas të vendoset me qetësi për të ardhmen. Ndaj klubi kishte vendosur që të rikthejë në skuadër Ranierin,  i cili kishte udhëhequr Romën edhe 2009-11.

 

Leave a Reply