Trajneri i Akademia Pandev, Jugoslav Trençovski ka folur lidhur me takimin e parë gjysmëfinal të Kupës së Maqedonisë kundër Pobedës. Skuadra e tij do të luaj si vendas në stadiumin “Mladost” në Strumicë, mirëpo edhe përkundër këtij fakti ai thotë që futbollistët e tij duhet të japin maksimumin në rast se dëshirojnë të nxjerrin më të mirën nga kjo ndeshje, pasi përballë kanë një skuadër që në çerekfinale kishte eliminuar skuadrën kampione të Shkëndijës.
“Vetë rëndësia e takimit, ndeshje gjysmëfinale e Kupës ka peshën e vetë. Na presin dy përballje të rënda kundër një kundërshtari që eliminoi skuadrën kampione të Shkëndijës, megjithatë ne duhet të japim maksimumin dhe të jemi në tërësi të fokusuar në këtë ndeshje, nëse dëshirojmë të marrim një rezultat pozitiv. Megjithatë mendoj se do të vendoset në 90-të minutëshin e dytë, me rëndësi është që të luajmë mirë, ndërsa rezultati do të jetë pasojë e lojës së treguar” – tha enkas për “infOSport.mk” trajneri i Akademia Pandev, Jugoslav Trençovski, i cili pas një kohe më të gjatë do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e mesfushorit Milovanoviç, ndërsa jashta kombinimit mbetet ende qendërmbrojtësi Vançe Shikov.