Useini gati për debutim dhe rezultat pozitiv me Renovën ndaj Sileksit

Muhamed Useini është i gatshëm për të luajtur sërish me fanellën e Renovës, te e cila skuadër erdhi javë më parë nga rradhët e skuadrës së Flamurtarit. Ai skuadrës nga Xhepçishti iu bashkua që para fillimit të stinorit pranveror, mirëpo për shkak dokumentacionit jo të plotë, mungoi në dy ndeshjet e para, njofton “infOSport.mk”. Tashmë kur gjithçka është në rregull, Useini është i gatshëm për lojë dhe për të ndihmuar Renovën në arritjen e objektivave gjatë këtij sezoni.

“Si gjithmonë do jetë një ndeshje e vështirë në Kratovë, mirëpo kemi një fillim të mirë në rezultate dhe lojë, ashtu që besoj se do të kemi vazhdimësi. Jemi përgatitur maksimalisht për për këtë ndeshje, ku do të luajmë për fitore” – tha fillimisht Muhamed Useini, i cili të dielën pritet të debutojë sërish me fanellën e Renovës, nga e cila skuadër verën e vitit 2017-të u transferua te Flamurtari.

“Normal jam i lumtur për debutimin dhe rikthimin tim në fushën e futbollit pas një muaji. Shpresoj se do të kemi rezultate të mira këtë edicion dhe se do arrijë edhe unë të jap kontributin e duhur, duke ndihmuar skuadrën në arritjen e qëllimeve” – përfundoi Useini.

Ndeshja midis Sileksit dhe Renovës nesër në Kratovë do të startojë në ora 14:00, e ku drejtësinë do ta ndajë Aleksandar Stavrev.

Leave a Reply