Në “Colovray Sports Centre” në Nyon të Zvicrës do të zhvillohen ndeshjet e Grupit 5 të raundit elitar të kualifikimeve për “Euro 2019” të futbollistëve deri në 17-vjet.
Ndeshjet e grupit 5 është dashur të luheshin në Spanjë, por UEFA ia ka marrë të drejtën e organizimit Spanjës, duke dalë në mbrojtje të prezantimit të Kosovës me simbole të saj, himn e flamur, shkruan Koha Ditore.
Autoritetet spanjolle nuk kanë pranuar që Kosova U-17 në Spanjë të prezantohet me simbole shtetërore dhe për këtë ka ndërhyrë UEFA duke zhvendosur turneun në Zvicër, që i bie të mbahet në terren neutral. Pos Kosovës e Spanjës në Grupin 5 bëjnë pjesë edhe Ukraina e Greqia. Kosova më 25 mars luan ndaj Ukrainës, më 28 mars ndaj Spanjës e më 31 mars ndaj Greqisë.
Federata e Futbollit të Kosovës të shtunën ka njoftuar për vendimin e UEFA-s për t’ia marrë të drejtën Spanjës për organizim të turneut, ndërsa Konfederata Evropiane e Futbollit vetëm të hënën ka dhënë pak më shumë detaje. Ndërkohë nuk ka pasur deri të hënën ndonjë reagim të Federatës së Futbollit të Spanjës.