Java e 20-të në elitën e futbollit vendor do të vë përballë FC Shkupin dhe Pobedën nga Prilepi. Bëhet fjalë për dy skuadra me emër në futbollin vendor, por që tani nuk janë në momentet e tyre të krenarisë. Për dallim nga FC Shkupi që beson në një vend që siguron Europën, Pobeda këtë edicion me shumë gjasa deri në fund të kampionatit do të luftojë për mbijetesë.
Ndeshja me FC Shkupin për ta është testi i parë më i rëndë nga ndeshjet në transfertë, ndërsa mbrojtësi i krahut të djathtë Angelço Timovski thotë se do të japin gjithçka nga vetja për të marrë një rezultat pozitiv.
“Atmosfera në klub është shumë e mirë. Stërvitemi normalisht dhe besoj se jemi të përgatitur për ndeshjen me Shkupin. Ata kanë një skuadër të mirë, ndërsa një gjë të tillë dëshmuan edhe në ndeshjen me Sileksin. Ata janë në përparësi, pasi luajnë para tifozëve të tyre që janë edhe futbollisti i 12-të, mirëpo ne do të japim gjithçka nga vetja dhe do të provojmë të mbetemi të pamposhtur. Respekte për Shkupin, mendoj se do të jetë një ndeshje e mirë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Angelço Timovski.
Ndeshja FC Shkupi – Pobeda gjatë ditës së sotme starton në ora 14:00.