Muhamed Useini mungon edhe ndaj Vardarit!

Muhamed Useini do të duhet të pres për debutimin e tij me fanellën e Renovës.  Mesfushori tetovar ishte futbollisti i fundit që iu bashkua skuadrës nga Xhepçishti gjatë merkatos së dimrit, mirëpo pasi ende nuk ka arritur dokumentacioni i duhur për të, i njëjti do të mungojë edhe në ndeshjen e së dielës kundër Vardarit, njofton “infOSport.mk”.

Useini te Renova erdhi si një ndër përforcimet më të bujshme të kësaj merkatoje, ndërsa me siguri se prezenca e tij në ndeshjet e rradhës do të jetë një super lajm për trajnerin Nikolla Ilievski – Xhixhi, i cili do të jetë një alternativë shtesë për në mesfushë.

Useini te Renova erdhi nga rradhët e Flamurtarit, me të cilën skuadër është në gjyq, lidhur me pagat që skuadra vlonjate i’a ka borxh. Rastin mesfushori tetovar e kishte paraqitur edhe në FIFA, që i kishte dalë në ndihmë Useinit, duke bërë që ai të mbetet një futbollistë i lirë, ndërsa Renova e shfrytëzoi më së miri këtë rast, për të rikthyer atë në Tetovë.

Me shumë gjasa Muhamed Useini debutimin e tij me “gjipspunuesit” pritet ta ketë në ndeshjen e javës së 21-të kundër Sileksit në Kratovë.

Leave a Reply