E diela në futbollin vendor solli edhe ndeshjen midis dy skuadrave ish kampione të Maqedonisë, Sileksit dhe FC Shkupit. Edhe pse ndeshjeve të fundit mes këtyre dy skuadrave ishim mësuar të mos shohim më shumë se dy gola, ndeshja e djeshme na demantoi dhe skuadrat shënuan 4 gola, nga dy në të dyja rrjetet, shkruan “infOSport.mk”.
Pjesa e parë foli në të mirë të skuadrës vendase, e cila falë golave të shënuar nga Boban Georgiev (20’), dhe Marko Rajkoviç (40’) avansoi me rezultatin 2:0, teksa futbollistët e FC Shkupit u kundërpërgjigjen gjatë pjesës së dytë, kur fillimisht falë autogolit të Stefan Kocev (76’) ngushtuan epërsinë në 2:1, ndërkohë në minutën e tretë shtesë të takimit me anë të Artan Veliut arritën edhe deri tek barazimi 2:2. FC Shkupi vazhdon të mbajë pozitën e 5-të në renditje me 24 pikë, 5 më shumë se Sileksi që mban pozitën e 8-të.
Të dielën FC Shkupi në Çair mirëpret Pobedën, ndërkohë Sileksi do të jetë mysafir i Rabotniçkit në Shkup.