Shkëndija e nisi mirë gjysmësezonin pranveror në elitën e futbollit vendor, duke fituar derbin e madh ndaj Vardarit me shifra minimale. Falë golit të Omar Imerit në minutën e 23-të, kuqezinjtë gjetën rahati në vijim, duke kontrolluar mirë lojën deri në fund. Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani është ndarë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij, duke vlerësuar se fituan ndeshjen me plotë meritë.
“Ishte ndeshje e vështirë në të cilën kishim imperativ tre pikë dhe kjo solli një ngarkesë shtesë të cilën mendoj se Shkëndija e menaxhoi mirë. Duke llogaritur si shkuan gjërat vlerësoj se fituam me meritë”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Shkëndijës Qatip Osmani.
Në fitoren kundër Vardarit te Shkëndija debutuan dy prurjet e janarit, Agim Ibraimi dhe Zija Merxhani dhe tekniku kuqezi vlerëson paraqitjen e tyre, ashtu si gjithë futbollistëve tjerë që u paraqitën.
“Sigurisht jam i kënaqur me paraqitjen e tyre pasi ishin në nivel të detyrës, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës. Shënuam vetëm një gol edhe pse mund të kishim realizuar më shumë. Epërsinë e gjetëm në kohë dhe më pas menaxhuam lojën si duhet. Në pjesën e dytë kishim edhe disa mundësi të mira për gol, por me rëndësi ishte të kontrollojmë lojën dhe rezultatin që në fund e mbyllëm në favorin tonë”, shtoi Osmani.
Tre pikë përballë rivalit direkt për titull në start të gjysmësezonit pranveror është fillim ideal për kuqezinjtë që shohin veten tetë pikë larg Vardarit në kreun e tabelës.
“Normal se këto tre pikë na japin qetësi në luftën për vendin e parë, mirëpo realisht është herët të flitet për titull. Ka edhe shumë për t’u luajtur deri në fund dhe ne patjetër të qëndrojmë të fokusuar në çdo ndeshje në drejtim të realizimit të aspiratave të këtij sezoni”, përfundoi shefi i stafit teknik i kuqezinjëve.