Inter ka harruar Mauro Icardi-n dhe ka fituar 1-0 në fushën e Rapidit të Vjenës në ndeshjen e parë të 1/16-ave të Europa League. Goli që ka vendosur takimin është realizuar në minutën e 39-të me penallti nga Lautaro Martinez. Argjentinasi ka shënuar për herë të parë në dy ndeshje radhazi me fanellën e Inter-it. Ndeshja e kthimit do të luhet 21 shkurtin e ardhshëm në “San Siro”.
Rezultati surprizë i ndeshjeve të Europa League ka ardhur nga Bjellorusia, aty ku BATE ka mundur 1-0 Arsenal-in. Goli i realizuar nga Dragun në pjesën e parë të takimit ka qenë i pari i pësuar nga “Topçinjtë” pas 495 minutash të luajtura në Europa League. Anglezët e kanë mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Alexadre Lacazette në minutën e 85-të. Një rezultat befasues, por jo i pamundur për t’u përmbysur nga skuadra e Emery 21 shkurtin e ardhshëm.
Lajme të këqija edhe për Lazio-n e Thomas Strakoshës, që është mundur 1-0 në “Olimpico” nga Sevilla falë një goli të Ben Yedder në minutën e 22-të. Francezi është lojtari i dytë i La Liga-s që ka shënuar të paktën 20 gola në ndeshjet e këtij sezoni të luajtura në të gjitha kompeticionet pas Leo Messi-t (29). Ndeshja e kthimit do të luahet 20 shkurtin e ardhshëm në “Sanchez Pizjuan”.
Rezultatet e ndeshjeve të tjera: Galatasaray-Benfica 1-2, Krasnodar-Leverkusen 0-0, Olympiakos-Dinamo Kiev 2-2, Rennes-Betis 3-3, Slavia Pragë-Genk 0-0.