Besir Ramadani 6 muajt e ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës së Genç Kalemler që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton ‘infOSport.mk’. Mbrojtësi shkupjan tashmë disa ditë po stërvitet me skuadrën nga Gostivari, ndërsa pa dyshim se do të jetë një super përforcim për skuadrën e Birol Topçiut gjatë stinorit pranveror, ku Genç Kalemler do të kërkojë mbojetesën.
Ramadani madje ishte pjesë e ndeshjes së fundit miqësore që Genç Kalemler e zhvilloi ndaj Borecit, skuadrës kampione të vjeshtës në Ligën e Dytë – Lindje, ku pati një super paraqitje.
Ramadani nuk udhëtoi me ekipin e parë të FC Shkupit në Antalia të Turqisë, por për tre ditë me rradhë ishte grumbulluar për një stejxh stërvitor tre ditor në kompleksin “Tropikal” me Kombëtaren U20 të Shqipërisë që udhëhiqet nga trajneri Ilir Biturku.
Për shërbimet e Ramadanit interesohej edhe Struga Trim Lum, mirëpo këta të fundit dëshironin kartonin e plotë të futbollistit shkupjan, një ofertë kjo që ishte refuzuar nga ana e drejtuesve të FC Shkupit, që nuk heqin dorë nga talenti i tyre, duke i dhënë mundësinë atij që të rritet si lojtarë me ekipin e Genç Kalemler.