Ngritja e Shkëndijës nga viti në vit, ka bërë që ‘kuqezinjtë’ tashmë të fitojnë imazh edhe në vendet më të avansuara.
Rasti i fundit vjen nga Zvicra, ku prestigjiozja ‘Blick.ch’ merr Shkëndijën si shembull si bartëse e rekordit për fitimin e titullit të kampionit me diferencën më të madhe ndaj vendit të dytë.
+35 pikët e Shkëndijës ndaj Vardarit nga sezoni garues 2017/2018 deri tani janë të paprekshme në gjithë Europën dhe më gjërë, ndërsa ‘Blick.ch’ potencon se duhet sforco e madhe që ndonjë ekip të prek këtë arritje.
Arsye për të bërë këtë analizë është diferenca e liderit aktual të Super Ligës së Zvicrës, Jang Bojs, skuadër kjo që stinorin vjeshtorë e mbylli me +19 pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Bazeli.
Pyetja e hapur e ‘Blick.ch’ është nëse kjo skuadër do të jetë e denjë për të synuar këtë rekord, për më shumë që askush më parë nuk ka mundur të bëjë atë që Shkëndija realizoi sezonin e kaluar.
Më tej analizohet sezoni i Shkëndijës duke potencuar faktin se në pauzën dimërore kuqezinjtë kishin ‘vetëm’ tetë pikë përparësi para Vardarit.
“Historia europiane e futbollit u shkrua më 20 maj 2018 në Tetovë, qytet në veriperendim të Maqedonisë dhe vendlindja e Blerim Xhemailit”, thuhet në fillim të raportit të Blick.ch, duke vijuar: “35 pikë përpara! Asnjëherë më parë në Evropë një klub nuk ka dominuar ligën vendore aq shumë. Një rekord që Jang Bojs do ta thyejë tani? Matematikisht mjaft e mundshme, pasi në gjysmësezon skuadra nga Berni është 19 pikë përpara.”
Në vijim përmenden rekordet momentale në disa liga dhe në Zvicër është gjenerata e Bazelit e udhëhequr nga Xherdan Shaqiri që në vitin 2012 fitoi titullin me 20 pikë më shumë se vendi i dytë. Në Gjermani rekordi është i Bajernit të Munihut që nën drejtimin e Jup Hejnkes në vitin 2013 kishin 25 pikë avantazh.
Në Angli Mançester Siti me Pep Guardiolën në vitin 2018 doli kampion me 19 pikë avantazh.
Ky raport i këtij mediumi të njohur zviceran është një tjetër tregues për nivelin që prekin kuqezinjtë në suaza ndërkombëtare dhe jo vetëm si rezultat i pranisë mediale, por edhe falë punës dhe sukseseve të arritura në skenën vendore dhe europiane.