Skuadra kampione e Mançester Sitit ka bërë një hap fals në Premierligë, pasi sonte në ndeshjen e vlefshme të javës së 24-të u mund në transfertën në ‘Sent Xhejms Park’ nga Njukasëll Junajtedi me rezultatin 2:1, njofton ‘infOSport.mk’.
Kjo disfatë mund të rezultojë e kobshme për Mançester Sitin në garën për titullin e kampionit me Liverpullin, skuadër kjo që me një fitore eventuale nesër mbrëma në ‘Enfilld Roud’ përballë Lester Sitit do të krijonte një epërsi prej 7 pikëve ndaj ‘citizens’.
GOLAT NGA NDESHJA NJUKASËLL J. – MANÇESTER S., NDIQENI KËTU.
Ndryshe takimi i sontëm i skuadrës së Pep Guardiolas nuk paralajmëroi një fund të këtillë, pasi me golin e shënuar nga ana e Serhio Agueros, ata avansuan që në minutën e parë. Salomon Rondon në minutën e 66-të solli simetri në rezultat, ndërkohë për fitoren e Njukasëll Junajtedit u përkujdes Mat Riçi me golin e shënuar në minutën e 80-të nga pika e bardhë.
Për skuadrën e Rafa Benitez ishte kjo fitorja e 6-të sezonale, me ç’rast kjo skuadër me 24 pikë renditet në pozitën e 14-të, ndërkohë Siti vazhdon të mbetet në pozitën e dytë me 56 pikë.