Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi në mënyrën më të mirë të mundshme e ka nisur vitin 2019.
Krenaria e sportit mbarëshqiptarë, ka arritur ta fitojë medaljen e artë në Tel Aviv pasi ka mposhtur izraeliten Gili Cohen në kategorinë deri në 52 kilogramë për vetëm 35 sekonda.
Majlinda edhe njëherë tjetër tregoi performancë të shkëlqyeshme në këtë turne që nga dueli i parë, dhe më plot meritë në fund iu gëzua medaljes se artë.
Majlinda Kelmendi deri në finale ka arritur pas tri fitoreve radhazi me ippon. Fillimisht pejanja mposhti në raundin e dytë xhudisten nga Gjeorgjia, Tetiana Levytska Shukvani, ndërsa pas saj në çerekfinale doli fituese ndaj Fabienne Kocher nga Zvicra.
Në gjysmëfinale, Kelmendi pati duelin më të fortë ndaj rumunes Andreea Chitu, të cilën e mposhti pas vazhdimeve me ippon.
Xhudistja 27-vjeçare do të jetë shumë aktive në vitin 2019, tani ajo është kthyer në stërvitje të plotë dhe po i afrohet edhe më tepër mbrojtjes së titullit në Olimpiadën e vitit vitit 2020 në Tokio.