Stefano Sturaro është lojtari më i ri i Xhenoas, ekip me të cilin shpërtheu dhe u bë i njohur. Pikërisht nga Xhenoa verën e vitit 2014-të ai u transferua te Juventusi, mirëpo duke u lënë në huazim sërish te skuadra nga ‘Marrasi’, që më pas nga viti 2015 deri në vitin 2018 të jetë pjesë e pandarë e ‘bardhezinjëve’, për të cilët numëron plotë 90 ndeshje dhe 3 gola të shënuar.
Ai verën e vitit 2018-të për shkak konkurrencës së madhe kaloi në radhët e Sportingut të Lisbonës në formulën e huazimit. Dhe kur pritej që ky të ishte një kalim në të mirë të karrierës së italianit, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe mesfushori nuk zbriti asnjëherë në fushë me fanellën e Sportingut, duke shënuar një nga momentet më të errëta të karrierës së tij.
Gjithsesi, Sturaro u rikthye përsëri te Juventusi dhe tashmë është gati të ringrihet në fluturim, mirëpo me ekipin e Xhenoas, ku edhe ishte ngritur si futbollistë.