Skuadra nënkampione e vjeshtës në Ligën e Dytë – Lindje, Tikveshi gjatë ditës së sotme ka prezantuar plotë 6 futbollistë të rinj, në mesin e të cilëve edhe futbollistin e talentuar të Shkëndijës, Donat Aliu, njofton ‘infOSport.mk’.
Aliu është një fëmijë i skuadrës tetovare, duke kaluar të gjitha grupmoshat e reja, ndërsa dëshira e tij për të sfiduar veten bëri që ai të pranojë ofertën e skuadrës së njohur nga Kavadari.
Por çfarë realisht shtyu Donatin që të veshë fanellën e Tikveshit: ‘Sinqeriteti dhe interesimi ndaj mua që kishte kryesia e klubit si dhe kushtet të cilat janë shumë të mira dhe kuptohet stafi teknik që posedojnë, mirëpo duke mos harruar këtu edhe kushtet financiare’.
Aliu i cili me 9 shkurt mbush 19-vjet me Tikveshin ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë, ndërsa vlen të ceket se i njëjti ka qenë pjesë edhe e përfaqësueses së Maqedonisë nga U16 deri në U18, transmeton ‘infOSport.mk’.
Ndryshe përveç Donat Aliut, drejtuesit e Tikveshit me në krye presidentin Mile Maslarkov prezantuan edhe Petar Najdov, Marjan Tashkov që vijnë nga rradhët e Kit Go, pastaj futbollistin e Kozhuvit Marjan Ristovski, si dhe dyshen e Rabotniçkit, Andrej Lazarov dhe Mario Stankovski.