Një prej futbollistëve më të mirë të vendit në arenën ndërkombëtare në dhjetë vitet e fundit, Agim Ibraimi prej sot edhe zyrtarisht është pjesë e skuadrës kampione në fuqi të Shkëndijës.
Sulmuesi 30 vjeçar me ‘kuqezinjtë’ nga Tetova firmosi kontratë tre vjeçare, duke u rikthyer në këtë mënyrë në klubin e tij të zemrës.
Tetovari karrierën si profesionist e kishte nisur pikërisht te Shkëndija, ndërsa si 18-të vjeçar u transferua te Salzburgu i Austrisë.
Ibraimi në karrierën e tij është paraqitur edhe me Olimpijan në Slloveni dhe Eskishehirsporin e Turqisë para se të kthehej në futbollin slloven ku do të linte gjurmë të mëdha.
Ekipi i Nafta-s ishte trampolina që e pozicionoi te Maribori me të cilët fitoi katër tituj të kampionit, tre Kupa dhe tre Super Kupa të Sllovenisë, luajti katër herë në grupet e Liga Europa (3 herë me Mariborin një herë me Astanan), ndërsa një edicion luajti në grupet e Ligës së Kampionëve me Mariborin ku mes tjerash mbahet mend për super golin e shënuar kundër Çelzit.
Një sezon ka luajtur edhe në Seria A të Italisë me Kaljarin, fitoi titullin dhe Kupën e Kazakistanit me Astana-n para se të kthehej në Slloveni te skuadra e Domzhales.