Transferimi i Berat Xhimshitit te gjigandët turq të Beshiktashit mund të bëhet një realitet. Klubi i njohur turk dhe skuadra aktuale e reprezentuesit shqiptarë, Atalanata kanë nisur negociatat për transferimin e Xhimshitit te skuadra nga Stambolli, pasi të gjitha palët e përfshira në këtë çështje duket se kanë dhënë pëlqimin e tyre për realizimin e marrëveshjes.
Informacionet e fundit flasin se thjesht po diskutohen detajet financiare të cilat për momentin mbajnë peng gjithçka.
Mediat turke kanë bërë të ditur se trajneri i Beshiktashit, Shenol Gynesh, ka vlerësuar pozitivisht mbrojtësin shqiptarë, pasi sipas tij është një qendërmbrojtës i cili luan mirë edhe me të majtën.
Beshiktash ka kontaktuar Atalantën, me të cilën skuadër futbollisti shqiptarë ka një kontratë deri në mbyllje të këtij sezoni.
Në fakt, presidenti i klubit i kishte bërë të ditur Xhimshitit se ishte gati t’i rinovonte edhe një vit kontratën por nuk ka asgjë të zezë mbi të bardhë, ndaj lojtari mund të negociojë lirisht me klube të tjera.
Në këtë situatë, mësohet se Atalanta i ka kërkuar Beshiktashit 400 mijë euro për transferimin e futbollistit shqiptarë, por klubi turk kërkon që të ulë këtë shifër, duke paralajmëruar italianët se nëse gjen akordin me Xhimshitin, mund ta transferojnë atë falas në fund të sezonit.
Në një situatë të këtillë, negociatat mes palëve vazhdojnë dhe sipas shtypit turk nuk është çudi që transferimi të realizohet që brenda kësaj jave.