Dejan Bllazhevski flet për aventurën te Tirana

Dejan Bllazhevski vetëm pas 6 muajve aventurë i dha fund karrierës së tij në Superligën shqiptare me skuadrën e Tiranës, ndërsa ditë më parë ai u rikthye në Maqedoni, duke firmosur me Rabotniçkin, rivalin lokal të ish skuadrës së tij, Vardarit.

Për “SportEkspres.com” Blazhevski ka vendosur të flasë në lidhje me aventurën e tij ‘bardheblu’. Sulmuesi maqedonas tregohet zotëri, duke thënë vetëm fjalë të mira për të gjithë dhe keqardhje për faktin se gjërat nuk shkuan ashtu si dëshironte ai, apo si dëshironin të gjithë te Tirana.

Muajt bardheblu – “Erdha te Tirana me dëshirën për të bërë diçka të mirë dhe ika me respektin maksimal për të gjithë ata me te cilët kam punuar. Unë kam luajtur gjithnjë me skuadra me emër për vendet ku kam qenë dhe e pranova menjëherë ofertën e Tiranës në verë, si skuadra më e madhe ne historinë e futbollit në Shqipëri.

Marrëdhënia me klubin – “Ata u treguan në çdo moment super korrektë. Drejtori Sportiv Arbi Laçi ka qenë gjatë gjithë kohës i gatshëm për çdo gjë, jo vetëm me mua, por për të 22 lojtarët. Presidenti Halili ishte super korrekt, e konsideroj mik dhe e falënderoj që në momentin e largimit nuk më krijoi probleme, sepse ishim ende nën kontratë dhe ai nuk kishte asnjë detyrim ndaj meje”.

Vendimi i largimit – “Pas dëmtimit nuk po aktivizohesha më dhe familja ime, sidomos fëmijët, donin të më kishin pranë në Shkup. Në këto kushte, duke pasur dhe disa oferta nga Maqedonia, mendova: Po kthehem në shtëpi”.

Pse Rabotniçki – “Rabotniçki ka ambicie dhe shkon rregullisht në Europa League, uroj që edhe Tirana të shkojë në Europë. Presidenti dhe Drejtori Sportiv më donin, megjithatë nuk më penguan”.

E ardhmja – “Nuk arrita dot të isha i rëndësishëm aq sa kam qenë te Vardari, por në Tiranë  kam bërë shumë miq dhe realisht e kam shijuar ato muaj që kam qëndruar. Do kthehem sërish si mik. Jam 33 vjeç dhe do e mbyll karrierën në Maqedoni”.

Leave a Reply