Tenisti serb Novak Djokovic është eliminuar sot nga turneu u Dohës, pasi u mund në gjysmëfinale nga spanjolli Roberto Bautista me rezultatin 2-1 (3-6, 7-6, 6-4). Numri 1 në botë fitoi me lehtësi 6-3 setin e parë dhe u duk se do të shkonte me lehtësi në finalen e këtij turneu, por spanjolli bëri një përmbysje fantastike, duke fituar dy setet e tjera.
Bautista fitoi në “tie break” 7-6 setin e dytë dhe më pas kompletoi përmbysjen duke fituar 6-4 setin e tretë dhe krejt ndeshjen 2-1, sukses të cilin spanjolli nuk e priste aspak. Emocionet e kësaj fitoreje ai i përcolli duke shkuar drejt telekamerës dhe ulëritur e festuar për këtë triumf ndaj tenistit më të mirë në botë.
Ky ishte turneu i fundit për Djokovic, që përgatitet për grand slam të Australian Open, që nis pas 10 ditësh në Melburn. Duket se të gjithë tenistët më të mirë në botë për meshkuj nuk po kalojnë një moment të mirë, pasi edhe Rafael Nadal nuk është ende në formën optimale dhe është në dyshim për grand slam të Melburnit.