Skuadra kampione në fuqi e Kosovës në futboll, FC Drita, bazuar në rezultatet dhe pozitën në të cilën ndodhet gjatë stinorit vjeshtorë, është shumë e vështirë që të mendohet se mund të përsërisin suksesin e vitit të kaluar. Ata në 17 xhiro, kanë realizuar vetëm 7 fitore, 2 barazime dhe 8 disfata, duke u radhitut në vendin e gjashtë me 23 pikë.
E gjithë kjo ka bërë që drejtuesit e skuadrës gjilanase të mendojnë për një merkato të mirëfilltë, ndërsa sipas asaj që raporton ‘kallxo.com’, FC Drita së fundmi ka zhvilluar bisedime me lojtarin e Kombëtares së Shqipërisë, Jahmir Hyka, duke i ofruar atij një kontratë katër muajshe, nga e cila do të përfitonte 40 mijë euro.
Lidhur me këtë ‘Kallxo.com’, e kishte kontaktuar zëvendës drejtorin e përgjithshëm të Dritës, Valon Zymberin, i cili kishte qartësuar gjithçka rreth këtij lajmi.
“Nuk ka pasur ndonjë takim zyrtar. Presidenti Valon Murseli dhe Hyka janë miq të mirë. Nuk është problemi te çështja e pagës, por problemi është që sa i konvenon Hykës liga e Kosovës për karrierën e tij. Gjithçka është biseduar miqësisht”, ka thënë fillimisht Zymberi për ‘Kallxo.com;, duke potencuar se do të ishte një nder i madh për Dritën si klub futbolli, që në rradhët e veta të ketë një super lojtarë nga SHBA-të.
“Nëse ai pranon të luaj në Kosovë, është nder për ne, por që interesi i tij nuk është të luaj në vendin tonë”, – ka treguar ai.
Jahmir Hyka me 3 shkur të vitit 2017-të ishte transferuar te skuadra amerikane e Quakes nga Lucerni për 1.25 milionë euro, ndërsa nga 1 janari i vitit 2019-të sipas “Transfermarkt.com”, futbollisti nga Tirana është një agjent i lirë.